Blog Manager

Universal Article/Blog/News module

Fjalëfalenderimi im me rastin e përurimit të romanit Për një mëngjes ndryshe

In:
Like Up:
Like Down:
Created:
29 Oct. 2018

(24 tetor 2015)

Pas një nate të pagjumë e të bujshme, ta quaj kështu  nga trazirat brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, tek kjo ditë nën shoqërimin tuaj të nderuar mysafirë, e para gjë që më vjen në mendje, tani para jush, është të thërras me Niçen - shyqyr që kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta.

I falenderohem referuesve të këtij rasti, krijues dhe publicistë të çmuar si: Ibrahim Kadriu, Ramadan Musliu shkrimin e të cilit e lexoi Nexhat Rexha, Mihallaq Qilleri që më befasoi nga SHBA-të e që sot këtu na e prezentoi Ramadan Mehmeti. Emra këta të çmuar për të gjithë ne, të cilët më nderuan me fjalën dhe përkushtimin e tyre për çfarë u jam mirënjohëse gjithmonë. I falenderohem gjithashtu edhe deklamuesve të shkëlqyeshëm përmes të cilëve shijova librin në një mënyrë tjetër, regjisorit dhe aktorit Ekrem Sopi dhe aktoresTringa  Hasani, pa harruar drejtuesin e kësaj ngjarjeje Sabit Rrustemin, gjegjësisht Ars Clubin ‘Beqir Musliu’ me Vjeshtën Letrare të Gjilanit, pjesë e së cilës kisha kënaqësinë të jem edhe në edicionin e 6 të saj. 

Pas krejt kësaj, mua më mbetet të përpiqem ta bind veten se, mbase vërtet kam arritur të them diçka që duhej, ashtu si duhej, aty ku duhej.

Më lejoni, për hir të respektit, të ndaj me ju një kujtim nga fëmijëria ime sepse, si duket sa më shumë kalon mosha aq më me dëshirë i kthehemi së kaluarës e sidomos fëmijërisë dhe prindërve tanë. Pra, si fëmijë, nxënëse e shkollës, sa herë mendoja se bëja një punë, arrija një rezultat, sukses me të cilin i jipja vetes të drejtë të krenohesha e të mburresha, vrapoja tek im atë dhe i tregoja. Atëherë kur prisja të emocionohej e të më lavdëronte, ai gjakftohtë, i përmbajtur siç ishte gjithmonë, më uronte dhe më thoshte: mirë shumë për sot, e nesër sigurisht se do ta bësh më mirë. Dhe kjo nuk ndodhte rrallëherë. Por gjithmonë, gjithmonë, edhe në gëzimet më të mëdha të fitoreve të mia të vogla më vinte përballë atë ‘të nesërme’ që duhej të ishte më e mirë, që duhej të kishte atë që plotësonte dhe i mungonte të sotshmes, që duhej të më tregonte sa e ulët dhe mashtruese mund të ishte vetëkënaqësia.  E nesërmja, kjo rivale e paarritshme, e pafundme. Sigurisht që atëherë, si fëmijë, nuk arrija ta perceptoja si duhej sjelljen e babait tim, tani të ndjerë, por më vonë e edhe sot, unë lutem që kjo urtësi e tij të më shoqërojë për gjithë jetën time në mënyrë që të mos ndalem së vrapuari pas të nesërmes (vetes) sime më të mirë, plotësisht e vetëdijshme se nuk ka ndonjë fund.

Sot ju falem nderit të të gjithëve, të afërm e të largët, miq e familjarë, kolegë e dashamirës të fjalës së shkruar! U jam mirënjohëse pafund për nderin dhe kuptimin që i shtuat kësaj dite!


Tags:
No comments yet...
Leave your comment
78233

Character Limit 400